Sunday, September 21, 2008

ZBULUAR


 

Lakuriq, lakuriq nate

Boll i trembe gratë nazike

Me flatrimet e heshtura

Në lulishtet e muzgjeve

 

Lakuriq, lakuriq nate

S’i duhet kujt pamja jote

Kot u përfushesh grave

Si i dehuri murgeshave.

 

Lakuriq, lakuriq nate

Ç’më qëmton syve të grave?

Lakuriqësinë tënde vetëm

Dheu mund të ta botojë.

 

LODHJA



Lodhja është dritë e kapur

Në kafshimin e mumjes

Lodhja është dritë e ngecur

Në amshimin e mumjes

 

Kur egjiptologët ranë

Me rropamë shurdhuese

Në pusin e pluhurit të varrit

U drodhën nofullat e vjetra

 

U hapën pak, çliruan

Të vetmin peng të vdekjes

E lanë dritën të largohej

Andej nga kishte ardhur

 

Kur egjiptologët u lodhën

Së kërkuari daljet

U shkrehën të përgjumur

Në amshimin e shplodhjes.