Monday, December 24, 2007

LAK I LIG


Rashë në shtrat

E më zuri gjumi

Pashë në ëndërr

Sikur rashë në shtrat

E më zuri gjumi

Pashë në ëndërr

Sikur nuk rashë në shtrat

As më zuri gjumi.


Sunday, December 23, 2007

BRENDA DHOMËS


Dhe i tha falemnderit cigares

Cigares që u kujtua të pinte

Me buzën dredhur nga dëshpërimi

Kur shkrepsja e ndezur në errësirë

Hapi papritur me dritën e saj

Dyert e verdha të një bote të verdhë

Plot forma që pispilloseshin në terr

Pa e ditur që dikush do t'i shihte,

Që një i kredhur në natë do t'i shihte

Dhe e flaku tej shkrepsen e ndezur

Që botën e zverdhur të digjte

Me flakën lëpirëse të urrejtjes

Mbirë befas në bebëzat tkurrëse,

Urrejtjes për veten e parë në pasqyrat

E buta të formave, në lodrën gri

Të hijeve kërcënuese rreth mureve

Dhe u dogjën format e përdredhura

Duke kërcitur në çmpirje të egra

U dogjën, akrepat e fjalëve mbi letra,

Mbeturinat e tingujve në pluhur,

Aromat e të dikurshmëve; u dogjën

Të gjitha ato që s'duhen dhe të gjitha

Ato që duhen; dhanë shpirt në dhëmbët

E bardhë të flakës, të flakës nisur

Ashtu kot, nga një shkrepse e ndezur

Për hir të një cigareje fikur në buzë

Nga habia mëshiruese e dëshpërimit,

Të një cigareje vënë në buzë ashtu kot,

Se nuk e pinte cigaren, sidomos natën

Pa Hënë, pa yje, pa njerëz, pa zemër,

Rrethuar nga një botë fëshfëritëse

Zakonisht e tingullt, nga një botë

Dritash që zakonisht tingëllonin,

Por që tani digjej hovshëm, me gaz,

Me gazin e kobshëm që sjell flaka

E të mendosh që nisi fare kot,

Nga një cigare e rrasur verbazi në buzë

Ndërsa sytë zgurdulloheshin bosh ...

Dhe i tha falemnderit cigares.

CEREMONI FETARE


Pëllumbi i plumbtë u soll

Rreth këmbanës blu që ëndërronte.


Shtyllat u drodhën me zhurmë

Trembën botën që flinte e lodhur.


Dyshimin mbirë heshtas e korrën

Me kosat e holla të fjalëve.


Prifti u tret, avull i ftohtë

Mbi pjatën e mbushur me popull.



EDHE KUR S’KA DRITË

Edhe kur s’ka dritë

Rrotullohet në boshllëk

Edhe kur s'ka errësirë

Rrotullohet në boshllëk

Syri i lexon pezhishkat

Kur tunden nga gishtat e mëngjesit

Veshi nxjerr mijëra melodi

Nga një gërvishtje e vetme

Njeriu hyn hesht hyn hesht

Rrotullohet në boshllëk

Dalëngadalë mësohet

Ta ndërtojë botën të vogël

Mësohet të flasë dhe të ndiejë

Si mes një kontinenti të gjerë

Ku miliarda krijohen lëvrijnë

Dhe vdesin mësohet të vdesë

I ngrirë në boshllëk

Pa guxuar asnjë lëvizje

Pa lëshuar asnjë zë të vetëm

Qëkur lindi qëkur jetoi ...



Tuesday, December 18, 2007

I COPËTUAR


Tani që nata e ngriti çarkun

Përthellë teje, aty ku Dielli

Vetëm me gjakun mund të hyjë,

Aty ku ti përfton vetveten

Pezhishkë mbi botën e paformë

I jep qytete, ngjarje, ndjenja

Zhytur e mbytur në muzg-mbrëmje

Pa dritën që me turp i vidhet

Çdo syri pyetës; ç't'i bësh vallë

Dallgës së vetme, të pafundme

T'errësirës? Jo, më kot

Spërkat, spërkat, spërkat me yje

Qiellin e rrafshtë e të mpirë

Ku s'fluturoi më kurrë pëllumbi

Tani që nata e ngriti pritën.




NË DET


Kur noton ndonjëherë larg

Thellë në det, gjithnjë i lirë

Nyje ku lidhen ajri dhe uji

Bregu, aq i hollë, tutje

Shtëpizat, miqtë, miniatura

E freskët e jetës sate

Sa kohë për t'u kthyer aty

Sa mund ... ndoshta më afër

Është ajo tjetra, ajo që s'e di

Kurrë, mister pa cak, mes

Ajrit dhe ujit; ndoshta më lehtë

T'i vidhesh maskës së vetes.

NË BOSHLLËK

Të flisja e s’më dëgjove

Ndoshta s'kishe mbërritur ende

Kishës sime i mungokësh

Një ikonë me ty

Po unë flisja, e çka thashë

Të tjerave u rinte ngushtë

Herë gjerë, pa bukuri

Dashuroheshim tërë pezm

Në regëtimat e qirinjve

Me gishta lexoja dredhur

Fytyrat akull të statujave

Pengohesha bija përmbys

Në boshllëkun tënd

Fshaja ... nuk e dija që fshaja

Gjuhës sime i mungonin

Emrat për të gjitha këto

Vetëm pak fjalë, njërrokëshe

Për të mos vdekur i pagojë

Flisja, e s’më dëgjove

Ende nuk besoja në një perëndi

Të zbrazët, si ti.




NË KAPËRCYELL



Dhe kur më pyetën

Pse je kaq i trishtuar

U fsheha në mjegull

Humba e pyetja më kot

Rrahu krahët në xhamin

E rëndë të heshtjes

Pse je kaq i copëtuar

Treni i murrët i orëve

Ka kaluar mbi ty

Yjet të janë ngjitur

Në dregëzat e plagëve

Më kot prita në mjegull

Që të fikeshin, zjarre

Të vegjël, gjithnjë shponin

Më cysnin brenda vetes

Sytë brenda syve, dhëmbët

Pse je kaq i vjetëruar

Emrat të janë vyshkur

Në gjoksin tim asgjë

S'lexohet dot më

Ikja është hija e dikurshme

Ruan format e mia

Pse je kaq i tejdukshëm.




PËRSHTATJE



Pashë një ëndërr të bukur

Ua tregoj të gjithëve

Të gjithë qeshin

Me të bukurën ëndrrën time

Qesh dhe unë

Me gojën dhëmbëkrimbur.




SI TË DUASH


Shty e shty në terr vagonin e mërzisë

Jeta jote - pianoforte që rrokulliset shkallëve

Kollesh e pështyn e vjell merimanga.


Si kalë që përtyp e përtyp lule

Në shtallën e trëndafiltë të ëndrrës

Ku flenë idetë e fundit të fundit.


Thasët janë plot me buzëqeshje

Pluhuri hahet, xhepat mbushur tinguj

Hapat e tu të kompastë matin heshtjen.



Shkunde fundin, tundu, mundesh

Derri që të gërrhet brenda tharkut të kafkës

Le të zbukurojë tryezat e harrimit të madh.

MODERNIZIM

Pasione të reja

Zakone të vjetra

Zjarre të ndezura

Me shkarpa llampash neoni

Zjarre të ftohta

Yje të mbledhura

Me pikatore netëve

Çuditërisht të freskëta


Pasione të reja

Zakone të vjetra

Nuseve u vjen aromë

Sapunesh të merme

U dridhen gjunjët mbi taka

Kalldrëmeve të serta

Në flakë të neonit

Nuset duken të zbehta


Pasione të reja

Zakone të vjetra

Qielli i malit ta gërric

Ballin si qeleshja

Në shpellë të heronjve

Dhëndurët luajnë me letra

Nuseve vajza ende

Nuk u dihen mbiemrat.



Monday, December 17, 2007

LABIRINT


Ecim përdore

Në korridore

Kjo dhomë, ajo

Kontrollo numrin

Kontrollo çelësin

Nuk është ky kat

Nuk është ky krah

Më fal, zotni

Mos keni parë

Një dhomë si kjo

Me shtrat të butë

Shtresa të fryra

Si dallgë deti

Peshqirë të bardhë

Do not disturb

Na thotë zotnia

Do not disturb

Na fal, zotni

Na falni zonjë

Provojmë majtas

Më mirë djathtas

Ja edhe pak

Dhe do ta gjejmë

Dhomëzën tonë

Na falni zonjë,

E ka një vaskë

Porsi guaskë

Që brenda fsheh

Hënën me maskë

Do not disturb

Nuk qenka kjo

As kjo as kjo

Ecim përdore

Në korridore

Dhoma pa numra

Numra pa dhoma

Hotel i zbrazur

Kaq natë kaq vonë

Kthehemi mbrapa

Ecim përpara

Aktorë në prova

Që kanë dështuar

Desh na zë gjumi

Në ashensor

Ti je Ariadna

Unë jam Tezeu

Kemi një dhomë

Nën emrin tonë

Me shtrat të virgjër

Shtresat tallaz

Peshqirë të dashur

Do not disturb

Hotel i madh

Kulturë dhe luks

Profesionizëm

Rregull qetësi

Hotel i madh

Me ne, për ne

Kurth apo tempull

Burg apo kishë

Pyetjet kumbojnë

Në bark të bishës

Ecim përdore

Në korridore

Por tash kërkojmë

Veç një dritare.

MUNGESË



Nuk të kam më

Brilant i shuar

Mbrëmje pa ty

Yje të mbledhur

Në fund të gotës

Cigare e djegur

Në cep të tavllës

Zë i harruar

Imazh i humbur

Xhami me avull


Ku është përroi

Zhapi i trembur

Tingull i butë

Në sytë e tu

Gropëz në faqe

Gjurmëz sorkadhi

Ije e dredhur

Në dorë tretur

Uji ndërruar

Gëzimi mbetur


Ku është përroi

Gjerdan i ftohtë

Liqen i hijes

Barka e puthjes

Ngecur në qiell

Me diell larë

Qeshja e ndalur

Ora e ndalur

Heshtja e ndalur

Kokat mbi bar


Nuk të kam më

Kujtim i lodhur

Dënesë e shkundur

Në lagështirë

Kandil venitur

Rrufe venitur

Në mugëtirë

Vegim i bukur

Ngulur me thumb

Në tru si flutur.



ME TRISHTIMIN


Vajzë e gjatë

Heshtje e hollë

Në rrugën me plepa

M’u shfaq trishtimi


T’i flas? I fola

Buzëftohtë e putha

M’u kacavarr në gjoks

Lejlek i akullt


Fjetëm bashkë

Shtrënguar si kurrë

Ish tepër vonë

Për t’u shkujdesur


Pastaj iku

E pasigurt, si ecje

Në rrugën e zbërthyer

Që ngërdheshej.



ANKTHI

Një udhë me pemë të ulëta

Që fërkojnë supet e mardhura


Një pyetje fluturon, si korbi

Mbi pllakat e këmbëve të zbathura


Ulërima dremit tutje

Mbuluar me krakërima të zbardhura.


PERIFERI. DIMËR. MUZG


Era, me macet e tjera,

Leshrat e prera të plakës

Shpërhap nëpër plehra.


ASSASSIN


Kur kaq i pagabueshëm qenke,

Si vrasës, i thashë, si ta shpjegoj

Që s’ka asnjë legjendë për ty?


I pagabueshëm, tha. Nga ata

Që më kanë parë asnjë

S’ka mbetur gjallë, për të rrëfyer.



Saturday, December 15, 2007

AMOUR


Të dua, por do të presim

Sa të zbrazet sheshi.


Wednesday, December 12, 2007

PARANOJA


Është një njeri ndoshta shpirt

Hije e keqe, uzurpator mendjesh

Ditën, ëndrrash natën,

Një njeri që nuk më do

Më ndjek nga prapa, m’i përqesh

Fjalët dhe veprat, merr pamjen

E miqve të mi, flet me zërin e tyre

Më gënjen me dobësitë e mia

Më kërcënon, më tund gishtin

Nga afër nga larg nga përtej

Një njeri që më do

Aq shumë sa s’më hiqet qafe

Në rrugë në metro në restorant

Më dërgon kartolina fjalësh

Gërvisht në mure mbishkrime

Që vetëm unë mund t’i kuptoj

Një njeri që s’jeton dot pa mua

Anonim i panjohur incognito

Fytyrë e fshehur pas një maske

Maskë e fshehur pas një fytyre

Në diell në shi në shtrëngatë

Ia ndiej erën prej baldose

Qimelagur, serialisht ekzekutuar

Në autostradë natën

Nga mijëra indiferenca makinash

Sytë prej qelqi të ngrirë

Shuar me imazhin tim në retina

I del dhe nuk i del dot fryma

Një njeri që ka mbetur pezull

Midis vdekjes dhe meje.


Tuesday, December 11, 2007

DERA



Si fëmijë, kishe merak

T’i vizatoje shtëpitë

Duke filluar nga dera


E bëje të mbyllur me dryn

Pa sy magjik pa pllakë emri

Të të zotit të shtëpisë


Derë e vetme e drejtë

Në mes të kalldrëmit me breshka

Poshtë diellit rrotë qerreje


Shtëpia shfaqej më pas

Bardhezi, dysheme të shtrembra

Mace lepuj miza përdhese


Ndonjëherë jo; vetëm

Një mur lënë përgjysmë

Gërmadhë nga e ardhmja


Të lodhej dora, ose të thyhej

Maja e lapsit, mprehur me kafshime

Të shtrembra prej ketri


Por botën nuk e lije pa derë

Lapidar memec përmendore

E premtimit të përtharë.



Monday, December 10, 2007

NË ATELIE



Pashë një shpatmal me fëmijë krah-këputur

Si shkarpat që i ranë plakës nga kurrizi i kërrusur,

Kur ia lëshoi mallkimin bjeshkës, grykës e përroit.


Nuk gjendet zjarr t’i djegë vocërrakët e vjetër

Mbetur shpërndarë e jetimë nga pakujdesi e vjeshtës

Strukur në vatër plaka ka ftohtë plaka ka ftohtë.


KU


Po ju pse po ikni

Pse pa ne të tjerët

Ku vini ku shkoni ku niseni

Po ne ku na lini pse vetëm

Pse vetëm ne vetëm pse

Ju ikni ne rrimë nuk ikim

Mbetemi pa ikur si pemët

Në djerrinë si gurët ku kujtoni

Se po ikni ç’iluzione

Ç’ikuzione jua lëvizin

Shputat këpucët gjurmët

Në dheun e djegur të rrugës

Ku kujtoni se po na lini

Ne që mbetemi që nuk ikim

Ne që nuk na bëjnë këmbët

Galloshet çizmet opingat

Nëna gjurmësh të vjetra

Mbetur në dheun e rreshkur

Në fytyrën e rreshkur të rrugës

Vrragë të një përdhunimi

Përndryshe të falur

Të përligjur të kuptuar

Nga të urtët e të drejtët

Ju që filloni të hiqeni

Zvarrë në shtratin e tharë

Të përroit që lini pas.

SFAZIM


Kur hapa dritaren,

E zura botën gafil

Siç nuk do të donte

Ta shihnin kurrë

Dergjur përmbys

Numëronte

Frymën, sinkronizonte

Me batica të plogëta

Më të ngadalshme

Se graviteti.


Ti ishe zgjuar

Ndërkohë, me njërin

Krah, të mpirin

Ende në ëndërr

The, ka mbetur shiu

Ka shtruar bora

Ka dalë dielli

Ka rënë nata

Po Hëna po Ylli

Po mjegullnajat.


Isha në mes,

Kontur i vizatuar

Prej dritës, nuk doja

Të mplekseshin gjërat

Drojtja harrohet më shpejt

Në terr të heshtjes

Gjumi është e vetmja

Mbrojtje ndaj frikës

Se mos veç këtij zgjimi

Ka edhe zgjim tjetër.


E hapa dritaren

Kushedi, që botën

Të mos e gjeja gati.


PËRRALLËZ


Kur shkuam me mamin në varreza

Pashë një grua me rroba të zeza

Fshihej pas një varri, pas një shelgu

Pas një tufe fluturuese gjethesh


Mami, të rrimë dhe pak

Ta ndjekim atë gruan nga pas

Të gjejmë çfarë fsheh nën fustan

Mami, të lutem, të kam xhan.


Është një grua e gjatë e hollë

Që përtyp lule të kurorave

Fryma i mban aromë trëndafili

Kur vrapon e dihat me sytë mbyllur


Mami, ti s’e sheh dot por unë

Ia dalloj në bar të njomë gjurmët

Dil nga një varr, hyr në një tjetër

Dje ishte e re, sot e vjetër


Kur shkuam me mamin në varreza

Pamë një grua me shkronja të zeza

Ngrirë mbi një rasë të ftohtë mermeri

Emrin ia lëvizte era.