Thursday, January 31, 2008

TRANSFONI



Vrimat e veshëve

Zërat i thithën

Tinguj nuk mbetën

Zërat u thithën

Puset e veshëve

Mbetën të zbrazëta

Tinguj që humbën

Thellë në kafkë

Tinguj që thithën

Pritjen e puseve

Veshët u vyshkën

Veç vrimat mbetën

Anash në kafkë.




VARUR


I kaltër është muzgu

Si syri i qetësuar

I pellgut.


Qëndro e mbaj vesh

Kur mes dy zhurmave

Struket heshtja.


I kaltër është muzgu

Si barku i trembur

I peshkut.


Ngulur në qiellzë

Të gojës memece

Ka ngecur grepi.



Wednesday, January 30, 2008

MBRËMË


Mbrëmë kur hyra në shtëpi

Gjeta njerëz të tjerë

Të panjohur, shtrirë në divane

Ulur në tryezat, disa në banjë

Me zallahi e kutërbim të nxehtë

Monedha në dysheme, një qen lëpinte

Një të vjellë vishnje prej panxhari

Nuk më folën ndoshta s’e vunë re

Që isha i zoti i shtëpisë, vazhduan

Mbrëmjen e tyre pa lidhje me timen

Në krevat pashë tulatur një grua

E dehur mishra-zhubrosur me cigaren

Që i ish shuar trishtueshëm mes

Manikyrit të ciflosur të gishtave

Me të qeshurën që kish harruar

Ta mbyllte si rubinetin e vaskës

Rrjedhës uji të vakët mbi qime

Dushesh të epshit, peshqirët shkelur

Përdhé, librat e mi lënë hapur

Borë e pashkrirë mbi qilimat

Shtypur nga këpucë të holla zhigolosh

Kur kërcenin me muzikën time

Si të ish avaz tavernash në Thrakë

Më hapën vend të ulesha, një zonjë

Më zgjati qelqin me shampanjë

M’u prezantuan, më pyetën me takt

Si e kisha emrin, unë thashë

Emrin… Vërtet, s’po më kujtohet

Për momentin, por jam unë

Ai që isha dhe shtrëngoja në dorën

E djersitur tufën e çelësave që s’më duheshin

Më.

Saturday, January 26, 2008

STROFKULLA E HESHTJES


Thotë se ua dëgjon grave

Tulin kur u fërkohet

Mes shalëve tepricën

E trupit në kërkim

Të hapësirës

Grave të pastra të mëngjesit

Ende të paprishura

Nga njëra-tjetra

Thotë se ua dëgjon grave

Kërcet e fytit kur gëlltiten

Heshturazi ende ngecur

Në pezhishkën

E një ideje të keqe

Ngjitur në faqe

Që mbrëmë që dje

Që në vitin 1993

Grave prodhuar

Dyersh rrotulluese

Në masë në seri

Dyersh vezulluese

Hotelesh joshëse

Me pirunj dhe drita

Thotë se ua dëgjon grave

Puthjet kur u skadojnë

Buzëve të rrudhura

Si karkalecë deti

Në pjatanca të netëve

Buzëve të shkruara

Në zgrip të një gote

Me verë ndoshta me dimër

Thotë se ua dëgjon grave

Zemrat ndoshta ecjet

Mes majonezave

Thotë.

INXHINIERËT E BALTËS


Me duar të arta

I japin baltës forma

Që t’ia lexojë

Dielli.


Ndjekin pastaj

Retë e murrme

S’ janë më, kur mbërrin

Tharja.



Thursday, January 24, 2008

RINGJALLJE

Tufa pemësh
Leshtore tkurren
Rrudhen lule
Në gonxhe të vjetra
Me zhaurimë
Trungje të thara
Zhyten në dhe
E gjelbërohen.

TË PAFAT


Kur trokitëm, na thanë:

Jeni vonë

Errësirë nuk kemi më

Hëna nuk punon

Pyllin e bëmë stola

Stolat shtretër

Shtretërit fëmijë ...

Kalon koha, vrapon

Prandaj, na vjen keq

Por jeni vonë,

Tashmë u shitën

Dhe puthjet e fundit

Spektakli po fillon

Mbetët jashtë

Jashtë, në çdo kuptim,

Pa shpëtim,

Përgjithmonë.



MITI I KOHËS

Repertori ish tepër i varfër
Një ditë u mbyll teatri
Në çdo sekondë, aktorët
Përsëritnin diçka të dikurshme
Fraza të stërthëna, poza
Ecje, nuk qe e mundur
Të krijohej diçka e re
Pastaj njëri vdiq, sikur
Të donte t'i ikte monotonisë
Sikur të mos ishte vdekja
Më e vjetra e të vjetrave,
Pse rrojmë ne, ne të tjerët,
Këto fjalë i tha dashnori I
Po ideja ishte e konsumuar
S'kish më as filozofi, as
Grimca të çfarëdoshme logjike,
Pse rrojmë, të paktën
Dielli sonte të mos perëndojë,
Ndryshe shtrëngohemi të puthim
Njëlloj, me buzë, po ato
Faqe, supe, dhe pjesë të tjera
Ose të kafshojmë bukë dhe mish
Në skenë ose jashtë saj
Këto fjalë i tha regjisori
Që kish sa vjet çdo mëngjes
Ish gdhirë regjisor, çdo natë
Kish hyrë të flinte regjisor
Dhe pasqyra po atë fytyrë
I kish treguar, me cinizëm,
Të paktën pasqyra mundej
Të tregonte më fantazi
Ose grimi, ose vetë grimasa
Drejtuar vetes, me urrejtjen
Që mund të ndihet për veten,
Këto fjalë i tha rekuizitieri
Këpucë që mbajnë po atë erë
Si vjet, o zot, dhe kjo orë
Që punon, dhe çdo ditë
Bie, tingëllon dymbëdhjetë
Dhe kjo tjetra, e kartontë
Tregon vetëm dymbëdhjetë
Çdo ditë, çdo orë, çdo moment
Dymbëdhjetë, jam i lumtur
Koha qenka orë e kartontë
Rrotullohu ose ndalu, po atë
Erë këpucësh do të gjesh,
Këto fjalë i tha butaforisti
Me një laps të ndezur në buzë
Jepnim të njëjtën shfaqje
Çdo mbrëmje, vajzat qanin
Në aktin e tretë; në të pestin
Vritej dikush nga dikush
Pastaj njëri guxoi dhe vdiq
Ishte vërtet i marrë, në skenë
Dhe jashtë saj, vdiq duke luajtur
Teatër, atë repertor të varfër
Të ngordhur prej kohësh, të ngrirë
Në arkivolin e dymbëdhjetës së orës
S'e kuptoj si arriti të vdiste,
Këto fjalë i tha autori.

MESNATË

Mace hije e hedhur haplehtë

Shket natën mbi murin e hënës

Derdh dritën e gjelbër të syve


Heshtje e butë prej kadifeje

Mbi vallëzimin e saj të errët

Çahet gur rrokulliset çative


Mace zog i trembur barkhollë

Kreshpërohet ikën duke rënë

Në gropën e mbytur të natës.


BLOF


Për hir të një kapsallitjeje

Që iu var çupës në vetull

Nuk di në ç’tryezë pokeri

Plaku ia kalli flakën mjekrës


Të kuq e të zinj u turrën

Të shuajnë zjarrin e lojës

T’ia shpëtojnë çupës vetullën

Nga kosa e marrisë së mbretit


Një marifet i lehtë kokete

Ua drodhi duart ekspertëve

Më dërrmues se grushti i shtetit

Vuri gjithçka në pikëpyetje


Të kuq e të zinj mbetur

Pa kurrfarë qëllimi në jetë

U mblodhën e fajin ia lanë

Çupës që kish përdredhur vetullën


Për hir të plakut bubulak

Që u dogj meteor me haré

Nuk di në ç’tryezë pokeri

Çupat i mbajtën sytë përdhé.




Monday, January 7, 2008

GARË



S'kishe mbetur i fundit:

Dikush

Frymë - flakë e zbehtë

Shpresë e shkyer në kthesë

Tmerronte sytë

Në qiellin e thestë

Të shpinës sate tërë djersë

Të këputeshin gjunjët

Ditët e tua shembeshin

Me ty, mbi ty

Në bar të harresës

Në varr të harresës,

S'do të vdisje i fundit.



E PRAPË TË DUA


Grua e zjarrtë

Shihmë, që të të shoh

Nga tenda ku fle e kristaltë

E kush tha që jemi të çmendur

Që s'jemi të qartë

Që vjedhim frymë

Shëtisim shpirt më shpirt

E flasim, flasim përçart,

Pa ktheje kokën e bukur nga unë

Nepërkë, grua e zjarrtë,

Folmë me gjuhëzat e flakës,

Shtrëngomë fort, pushtomë ...

E kush tha që buza na u tha

Duke puthur rërën e artë

Të plazhit të vogël të ëndrrës,

Symbyllur kush s'na la të rrimë

Grua e zjarrtë?


IDIL



Barka ngrirë, thua

Në dyllin e ujit

Ti je kukull e ngrohtë

Unë të dua.


Flokët e tu duarve

Më avullojnë

Të dy notojmë

Në liqenin e buzëve.


Ti je kukull e kaltër

Mbushur me yje

Ti e kthjell në dritë

Fjalën dhe baltën.


Jemi të shtrirë

Fikur qepallat

Në dyllin e heshtjes

Nata ka ngrirë.


Sunday, January 6, 2008

JAVA


1. E hënë


Femër e ftohtë, e pakuptueshme

Hije mbetur në xham

Vrapon, në trotuaret e ftohta

Të mëngjesit universal.


2. E martë


Doli në dritare, më pa

Tek ecja kuturu, eja lart,

Unë dhe ngurimi im, eja lart

Flokët i zgjateshin deri tek unë

Krahët e mi deri tek ajo

E desha, atë dhe magjinë e saj

Që s'më linte të zgjohesha.


3. E mërkurë


Kush ishte ajo vallë

Që kaloi, fluturoi

U hap si një krah zogu

Kuvendoi me erën,

Një vajzë, askush s'ia pa

Mermerin e gjoksit, të këmbëve

Harkun e ijeve, si ulërima

E qenve të lodhur në muzg

Vetëm skulptori, i lashtë, i lodhur

U ul në rrëzë të planetit

Aty ku qielli thith retë

U ul, skulptori i një vajze

Dhe mendoi një këngë të re

Për t'ia kënduar vetes.


4. E enjte


U bëra dhe unë me gjyshe

Me përrallë, veshët e ujkut

Janë çadra ku dua të futem

Më pëlqen kësula e kësulëkuqes

Gjyshja e ka barkun të fryrë

Nuk e di pse, unë fle aty

Poshtë meje të fshehtat e gjyshes

Hungërrijnë në tunelet e zymta.


5. E premte


Për çdo perde që hap

Një të vdekur do të shohësh

Nofullngrirë, e të ngjan ty

Për çdo perde që hap

Një të qarë do të dëgjosh

Me një zë si zëri yt

Kështu, derisa ta kuptosh

Se ti je tretur prej kohësh

Mendimet e tua ndizen

Si llampa në tru të tjerë

Se bota tallet me vdekjen tënde

Bota boton në mijëra kopje

Trupin tënd, fytyrën, zërin

Pas çdo perdeje që hap

Se bota luan me vdekjen tënde

Me dritën dhe tingullin tënd

Se gjithçka humbi, veç kurreshtjes

Që ngushëllim ta kanë lënë.


6. E shtunë


Thanë që jemi njerëz

Paçka që s'kemi fëmijë

Do t'i kemi, dashuria është ylli

Që e fsheh dritën në gji

Jemi njerëz, thanë, në duar

Kemi shenja, kallo, plagë

Dhe tatuazhe të gjelbra, jemi

Njerëz që s'kemi fëmijë

Që kemi vrarë fëmijë, jemi

Nga ata që e quajnë veten

Ende njerëz, dashuria është ylli

Që na jep, thanë, jetë e forcë

Fëmijët vijnë pas, si të vdekur

Si të gjallë, është njëlloj

Thanë, jetën tonë e sjellim

Të gëdhendur në duar e në fjalë.


7. E diela


E Diela është e Diellit

Është lule e këputur

Në një kopsht, në ëndërr

Që, kur zgjohem, e gjej

Në jastëk, paskam fjetur

Me të, jam dashuruar

Me dritën e saj erëmirë

E Diela është e Diellit

Është lule që dikujt

I duhet lënë në jastëk

Që, kur të zgjohet, ta gjejë

Si prej ëndrre, të besojë

Se ka fjetur me të, me dritën

E saj erëmirë, të besojë

Që e Diela është e Diellit.


FRIKA

Vrapo, vrapo
Me ritmin e hapave
Të tu, një tribu
Zezakësh të dehur kërcefshin
Sa të vyshken, të digjen
Nga etja
Vrapo, ka ende kohë
T'i vidhet zjarrit
Ujku i pështyrë
I jetës sate.

Rruga jote
Tatuazh i shtrembër
Në gjoks të fushës
Që ulet, ngrihet
Dihat.
Rruga jote
Vetëtimë e gjelbër
Çjerrë me thonj
Në qiell të fushës
Çjerrë me shpatë.

Rend ti,
Rend para teje
E shpejtë hija
Gjithë çka ti s'guxove
E bëri më parë hija
Mjerë ti që dot s'shpëtove
Nga hija
Se kurdoherë shpinën
Shpinën i ktheve Hënës.

Si nuk u lodhe
Trupin me zemër
Si e harrove?
Nga mushkëritë
Vrima-vrima
Rrjedh e përjargur
Fryma
Hardhuca e gjuhës ngordh
Mbi rërën e buzëve
Kërminjtë e tharë të syve
Zvarriten mollëzave
Rend e rend
Si nuk u lodhe.


Mjerë ti
Që nuk u lodhe
Që nuk u ndale
Mes fushë-botës
Ku veç ti dhe ikja
Bënit hije
Që s'pe përreth
Vetminë e butë
Burime, lule
Kopshte pëshpëritës,
Mjerë ti që edhe fundin
Pa fund e pate.

Rruga jote
Kamzhik i nxehtë
Të përzhit ijet
E ti s'ndien gjë;
Kali i harbuar
I ikjes sate
Rend para teje
Trokut të vet
I druhet;
S'e ndien zjarrin
Shkrumbin në ije
Kali i verbuar
I ikjes.

Ikën e prapë
Të gjitha mbetën
Me horizontin
E rrumbullakët
Askush s'të ndoqi
Veç vetes, vetes
Diku pas teje
Njëlloj pas teje
Njëlloj e largët
Rruga jote
Lak i rrëshkitshëm
Të përqafon
E ti më kot kërkon
Me këmbë të dredhur
Stolin e vjetër.

Vrapo, vrapo
Me ritmin e hapave
Të tu, një tribu
Majmunësh të mençur
Valle kërcefshin
Sa, të plasur
Mundimi dhimbje
Të bëhen njerëz;
Vrapo, ende ka kohë
T'i vidhet natës
Demoni qorr
I ëndrrës sate ...
Paçka se fundin
Pa fund e pate.

FILM PA ZË


Një shtëpi në një kodër

Me një lumë përbri,

Një burrë që ndërton ura

Por i prish përsëri,

Një grua që rrit pëllumba

I fsheh thellë në gji,

Të ngrohtë, të bardhë,

Gugatës, të mefshtë, përpëlitës

Burri, kur kthehet, në prag

E gjen gruan të vdekur

Përpëlitëse, të kuqe, pa sy

Në shtëpinë mbi kodër

Pa urat mbi lumin përbri,

Të vetme, të vdekur

Pëllumbat - korba

Mbi supet e ngrira të tij

Sqepapërgjakur, të heshtur

Si burri, si gruaja, si bota

Rreth një shtëpie pa sy

Pa ura, buzë një lumi

E lumi, që të rrjedhë,

Kërkon e kërkon shi.



PRANGAT E EMRIT


Ka ditë kur nuk dua

Të di si quhem

Nis i vë vetes emra të gjelbër

Nxjerrë nga librat, nga stelat e varreve

Emra kalorësish, poetësh

Shenjtorësh të lashtë, hyjnish

Emra të shpikur, të shpifur

Nyjëtime të ngathëta, të qullëta

Të gjuhës, në shpellën

E shkrumbuar të gojës.


Janë ditë të çuditshme

Lakuriqësia ime më deh

Fletë e bardhë ngjaj, në librin

E mërzitshëm të njerëzve

Që ashtu të më duan

Përsytë, për zërin dhe fytyrën

Mënyrën e ecjes, tiket, për

Erën e këmbëve, barkun gurgullues

Frymën e rëndë dhe gërhimën.


I shtrirë rehatshëm

Në dyshekun tim të kaltër të askujt

Të mbllaçit këndshëm

Copëza të buta nga ditët e të tjerëve

Mbresa të njoma vajzash, udhëtimesh

Pallatesh të qelqta, statujash,

Të dëgjoj përgjumshëm

Ulërimat prej qeni të braktisur

Të ish - emrit tim, por jo

Çirru, kujis, përjargu e ngordh

S'e dalloj dot kush je.


Pa emër. Ka ditë që trembem

Të di si quhem

Rri në qelinë e emrit, symbyllur

Ëndërroj ishuj të largët, dezertikë

Zbardhur nga dielli i harresës

Pak çlodhje; e rëndë është barra

E përbindshme e ditëve

Që kam jetuar, që kam krijuar

Po sa i marrë kam qenë,

Kurrë s'harrova të nënshkruaj.