Mëngjesi u derdh përsëri
Në pistat e drejta të rrugëve,
Me fyellin e vet lirik
I ra melodisë së zërave
Të rrëmujshëm që zgjohen,
Disakorde të ëmbla hapash
Shkurtojnë ofshamat e kujt
Ende nuk ka dalë nga nata.
Po ç'ka drita që stepet e mpaket?
Hije të squllëta lotuese
Leshterikët majë kambanares
Tunden e rrjedhin teposhtë
Rrëshqitës e ngjitës,
Fshihen fishkëllyes në kanalet
Tentakula shëtitëse;
Dielli përbaltet në guaska
Të gjera si vaska
Plot llurbë të trashë e të gjelbër
Dhe luspa të kaltra, si qelqe
Të përkulshme e të ngulshme,
Korale gungaçe e të nxira,
Lule bishtgjata e të shtrira
Litarë në qafa statujash,
Spiranca të rënda e të ndryshkëta
Në terraca; skelete të gjymta
Ngrirë në vallet fosforike
Dhe kisha e mbytur në krahët
Ombrellorë të meduzës,
Që thahen, kërcasin, këputen e bien
Mbi botën ende të rrudhur, qiellzë
Të përzhitur gjigandi;
Njerëzit nuk dalin; ende
Nuk vendosin të dalin,
Mëngjesi u derdh dhe një herë
Në pistat e drejta të rrugëve,
Vallë ka kohë të pastrohen
Shenjat e turbullta të ujit,
Ka kohë vallë të harrohen
Pamjet e hirta të funddetit,
A do t'i mbetet vallë frymë
Fyelltarit deri në mbrëmje?