Monday, February 11, 2008

DY BOTËT


Sikur kandrrat të ngrinin foletë

Në fjalët, verba volant, do t’ia merrnin

Me vete vezët larvat veshtullore

Thnegla me krahë prej sedefi nuk do dinin

Në cilin stacion të heshtjeve të zbritnin.


Fluturim vërtet, por drejt kuptimesh

Që atyre do t’u shfaqeshin me dritë

Prej klorofili, ose elektricitet i gjelbër

I përjetuar si dridhje, ekstazë prej teli

Kitare, që tingëllon edhe pasi këputet.


Çka është për ty rrëfenjë, ndoshta

E shkurtër, është për to universi

Kanë shkencëtarë të bardhë me mjekër

Që rreken të gjejnë misteret e Big Bangut

Pa e ditur se në fillim ishte fjala.


Kur fëmijë të zinte gjumi përmbys

Duke thithur një gisht të ëmbël të përrallës

E ndieje si ato zgjoheshin, kandrra pastërtore

Me krahët që u tundeshin si pallto grarishte

U mbulonin kërcinjtë e hollë e të brishtë.


Vetëm se ecnin së prapthi, thuase dilnin

Tufa-tufa nga gogësima hyjnore

E një Perëndie që u ngatërrua me orën

Sikurse u ngatërrua me botët; këtu

Fjalë, atje vepra, por aq të harrueshme…



No comments: