Sunday, January 6, 2008

JAVA


1. E hënë


Femër e ftohtë, e pakuptueshme

Hije mbetur në xham

Vrapon, në trotuaret e ftohta

Të mëngjesit universal.


2. E martë


Doli në dritare, më pa

Tek ecja kuturu, eja lart,

Unë dhe ngurimi im, eja lart

Flokët i zgjateshin deri tek unë

Krahët e mi deri tek ajo

E desha, atë dhe magjinë e saj

Që s'më linte të zgjohesha.


3. E mërkurë


Kush ishte ajo vallë

Që kaloi, fluturoi

U hap si një krah zogu

Kuvendoi me erën,

Një vajzë, askush s'ia pa

Mermerin e gjoksit, të këmbëve

Harkun e ijeve, si ulërima

E qenve të lodhur në muzg

Vetëm skulptori, i lashtë, i lodhur

U ul në rrëzë të planetit

Aty ku qielli thith retë

U ul, skulptori i një vajze

Dhe mendoi një këngë të re

Për t'ia kënduar vetes.


4. E enjte


U bëra dhe unë me gjyshe

Me përrallë, veshët e ujkut

Janë çadra ku dua të futem

Më pëlqen kësula e kësulëkuqes

Gjyshja e ka barkun të fryrë

Nuk e di pse, unë fle aty

Poshtë meje të fshehtat e gjyshes

Hungërrijnë në tunelet e zymta.


5. E premte


Për çdo perde që hap

Një të vdekur do të shohësh

Nofullngrirë, e të ngjan ty

Për çdo perde që hap

Një të qarë do të dëgjosh

Me një zë si zëri yt

Kështu, derisa ta kuptosh

Se ti je tretur prej kohësh

Mendimet e tua ndizen

Si llampa në tru të tjerë

Se bota tallet me vdekjen tënde

Bota boton në mijëra kopje

Trupin tënd, fytyrën, zërin

Pas çdo perdeje që hap

Se bota luan me vdekjen tënde

Me dritën dhe tingullin tënd

Se gjithçka humbi, veç kurreshtjes

Që ngushëllim ta kanë lënë.


6. E shtunë


Thanë që jemi njerëz

Paçka që s'kemi fëmijë

Do t'i kemi, dashuria është ylli

Që e fsheh dritën në gji

Jemi njerëz, thanë, në duar

Kemi shenja, kallo, plagë

Dhe tatuazhe të gjelbra, jemi

Njerëz që s'kemi fëmijë

Që kemi vrarë fëmijë, jemi

Nga ata që e quajnë veten

Ende njerëz, dashuria është ylli

Që na jep, thanë, jetë e forcë

Fëmijët vijnë pas, si të vdekur

Si të gjallë, është njëlloj

Thanë, jetën tonë e sjellim

Të gëdhendur në duar e në fjalë.


7. E diela


E Diela është e Diellit

Është lule e këputur

Në një kopsht, në ëndërr

Që, kur zgjohem, e gjej

Në jastëk, paskam fjetur

Me të, jam dashuruar

Me dritën e saj erëmirë

E Diela është e Diellit

Është lule që dikujt

I duhet lënë në jastëk

Që, kur të zgjohet, ta gjejë

Si prej ëndrre, të besojë

Se ka fjetur me të, me dritën

E saj erëmirë, të besojë

Që e Diela është e Diellit.


2 comments:

Selfmaderadio said...

me pelqeu. askush nuk e perdor fjalen si ty.

Anonymous said...

I ke gjetur shtrat ujit te rrjedhe, dhe me bere te mendoj per te djelen se; do te ishte pika qe perfundonte derdhja, me zgjimin hapur si lulja e diellit.

Te sygjeron, dhe toleron variant intrpretimi lexuesit.