Thursday, January 24, 2008

MITI I KOHËS

Repertori ish tepër i varfër
Një ditë u mbyll teatri
Në çdo sekondë, aktorët
Përsëritnin diçka të dikurshme
Fraza të stërthëna, poza
Ecje, nuk qe e mundur
Të krijohej diçka e re
Pastaj njëri vdiq, sikur
Të donte t'i ikte monotonisë
Sikur të mos ishte vdekja
Më e vjetra e të vjetrave,
Pse rrojmë ne, ne të tjerët,
Këto fjalë i tha dashnori I
Po ideja ishte e konsumuar
S'kish më as filozofi, as
Grimca të çfarëdoshme logjike,
Pse rrojmë, të paktën
Dielli sonte të mos perëndojë,
Ndryshe shtrëngohemi të puthim
Njëlloj, me buzë, po ato
Faqe, supe, dhe pjesë të tjera
Ose të kafshojmë bukë dhe mish
Në skenë ose jashtë saj
Këto fjalë i tha regjisori
Që kish sa vjet çdo mëngjes
Ish gdhirë regjisor, çdo natë
Kish hyrë të flinte regjisor
Dhe pasqyra po atë fytyrë
I kish treguar, me cinizëm,
Të paktën pasqyra mundej
Të tregonte më fantazi
Ose grimi, ose vetë grimasa
Drejtuar vetes, me urrejtjen
Që mund të ndihet për veten,
Këto fjalë i tha rekuizitieri
Këpucë që mbajnë po atë erë
Si vjet, o zot, dhe kjo orë
Që punon, dhe çdo ditë
Bie, tingëllon dymbëdhjetë
Dhe kjo tjetra, e kartontë
Tregon vetëm dymbëdhjetë
Çdo ditë, çdo orë, çdo moment
Dymbëdhjetë, jam i lumtur
Koha qenka orë e kartontë
Rrotullohu ose ndalu, po atë
Erë këpucësh do të gjesh,
Këto fjalë i tha butaforisti
Me një laps të ndezur në buzë
Jepnim të njëjtën shfaqje
Çdo mbrëmje, vajzat qanin
Në aktin e tretë; në të pestin
Vritej dikush nga dikush
Pastaj njëri guxoi dhe vdiq
Ishte vërtet i marrë, në skenë
Dhe jashtë saj, vdiq duke luajtur
Teatër, atë repertor të varfër
Të ngordhur prej kohësh, të ngrirë
Në arkivolin e dymbëdhjetës së orës
S'e kuptoj si arriti të vdiste,
Këto fjalë i tha autori.

No comments: