Wednesday, January 30, 2008

MBRËMË


Mbrëmë kur hyra në shtëpi

Gjeta njerëz të tjerë

Të panjohur, shtrirë në divane

Ulur në tryezat, disa në banjë

Me zallahi e kutërbim të nxehtë

Monedha në dysheme, një qen lëpinte

Një të vjellë vishnje prej panxhari

Nuk më folën ndoshta s’e vunë re

Që isha i zoti i shtëpisë, vazhduan

Mbrëmjen e tyre pa lidhje me timen

Në krevat pashë tulatur një grua

E dehur mishra-zhubrosur me cigaren

Që i ish shuar trishtueshëm mes

Manikyrit të ciflosur të gishtave

Me të qeshurën që kish harruar

Ta mbyllte si rubinetin e vaskës

Rrjedhës uji të vakët mbi qime

Dushesh të epshit, peshqirët shkelur

Përdhé, librat e mi lënë hapur

Borë e pashkrirë mbi qilimat

Shtypur nga këpucë të holla zhigolosh

Kur kërcenin me muzikën time

Si të ish avaz tavernash në Thrakë

Më hapën vend të ulesha, një zonjë

Më zgjati qelqin me shampanjë

M’u prezantuan, më pyetën me takt

Si e kisha emrin, unë thashë

Emrin… Vërtet, s’po më kujtohet

Për momentin, por jam unë

Ai që isha dhe shtrëngoja në dorën

E djersitur tufën e çelësave që s’më duheshin

Më.

1 comment:

Anonymous said...

"Banoret e pa njohur" te shtepise tende "Mbreme", kushe e di se ku jane, ne ndonji tjeter shtepi tani, dhe kane lene shkrimet e tua vetem,se s'mbarohen shtepite per vizita te tilla si tek e jotja. Edhe ndonje nje nga ata (te paftuarit ne shtepine tende) lexone c'ke shkruar, me nje ndryshimi; Ai (ndryshimi) eshte i madh.