Sunday, December 23, 2007

BRENDA DHOMËS


Dhe i tha falemnderit cigares

Cigares që u kujtua të pinte

Me buzën dredhur nga dëshpërimi

Kur shkrepsja e ndezur në errësirë

Hapi papritur me dritën e saj

Dyert e verdha të një bote të verdhë

Plot forma që pispilloseshin në terr

Pa e ditur që dikush do t'i shihte,

Që një i kredhur në natë do t'i shihte

Dhe e flaku tej shkrepsen e ndezur

Që botën e zverdhur të digjte

Me flakën lëpirëse të urrejtjes

Mbirë befas në bebëzat tkurrëse,

Urrejtjes për veten e parë në pasqyrat

E buta të formave, në lodrën gri

Të hijeve kërcënuese rreth mureve

Dhe u dogjën format e përdredhura

Duke kërcitur në çmpirje të egra

U dogjën, akrepat e fjalëve mbi letra,

Mbeturinat e tingujve në pluhur,

Aromat e të dikurshmëve; u dogjën

Të gjitha ato që s'duhen dhe të gjitha

Ato që duhen; dhanë shpirt në dhëmbët

E bardhë të flakës, të flakës nisur

Ashtu kot, nga një shkrepse e ndezur

Për hir të një cigareje fikur në buzë

Nga habia mëshiruese e dëshpërimit,

Të një cigareje vënë në buzë ashtu kot,

Se nuk e pinte cigaren, sidomos natën

Pa Hënë, pa yje, pa njerëz, pa zemër,

Rrethuar nga një botë fëshfëritëse

Zakonisht e tingullt, nga një botë

Dritash që zakonisht tingëllonin,

Por që tani digjej hovshëm, me gaz,

Me gazin e kobshëm që sjell flaka

E të mendosh që nisi fare kot,

Nga një cigare e rrasur verbazi në buzë

Ndërsa sytë zgurdulloheshin bosh ...

Dhe i tha falemnderit cigares.

No comments: