Monday, December 17, 2007

LABIRINT


Ecim përdore

Në korridore

Kjo dhomë, ajo

Kontrollo numrin

Kontrollo çelësin

Nuk është ky kat

Nuk është ky krah

Më fal, zotni

Mos keni parë

Një dhomë si kjo

Me shtrat të butë

Shtresa të fryra

Si dallgë deti

Peshqirë të bardhë

Do not disturb

Na thotë zotnia

Do not disturb

Na fal, zotni

Na falni zonjë

Provojmë majtas

Më mirë djathtas

Ja edhe pak

Dhe do ta gjejmë

Dhomëzën tonë

Na falni zonjë,

E ka një vaskë

Porsi guaskë

Që brenda fsheh

Hënën me maskë

Do not disturb

Nuk qenka kjo

As kjo as kjo

Ecim përdore

Në korridore

Dhoma pa numra

Numra pa dhoma

Hotel i zbrazur

Kaq natë kaq vonë

Kthehemi mbrapa

Ecim përpara

Aktorë në prova

Që kanë dështuar

Desh na zë gjumi

Në ashensor

Ti je Ariadna

Unë jam Tezeu

Kemi një dhomë

Nën emrin tonë

Me shtrat të virgjër

Shtresat tallaz

Peshqirë të dashur

Do not disturb

Hotel i madh

Kulturë dhe luks

Profesionizëm

Rregull qetësi

Hotel i madh

Me ne, për ne

Kurth apo tempull

Burg apo kishë

Pyetjet kumbojnë

Në bark të bishës

Ecim përdore

Në korridore

Por tash kërkojmë

Veç një dritare.

No comments: