Monday, December 10, 2007

SFAZIM


Kur hapa dritaren,

E zura botën gafil

Siç nuk do të donte

Ta shihnin kurrë

Dergjur përmbys

Numëronte

Frymën, sinkronizonte

Me batica të plogëta

Më të ngadalshme

Se graviteti.


Ti ishe zgjuar

Ndërkohë, me njërin

Krah, të mpirin

Ende në ëndërr

The, ka mbetur shiu

Ka shtruar bora

Ka dalë dielli

Ka rënë nata

Po Hëna po Ylli

Po mjegullnajat.


Isha në mes,

Kontur i vizatuar

Prej dritës, nuk doja

Të mplekseshin gjërat

Drojtja harrohet më shpejt

Në terr të heshtjes

Gjumi është e vetmja

Mbrojtje ndaj frikës

Se mos veç këtij zgjimi

Ka edhe zgjim tjetër.


E hapa dritaren

Kushedi, që botën

Të mos e gjeja gati.


No comments: